Këshilli i Ministrave vendos lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Brendshëm, Julian Hodaj

Aktualitet | 11 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku janë miratuar disa vendime të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe administratës publike.

Ndër to, u vendos ngritja e Task-Forcës dhe e Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027, si dhe lirimi nga detyra i zëvendësministrit të Brendshëm, Julian Hodaj.

Vendimi për lirimin e Hodajt është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 6 të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozim të Kryeministrit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.

Julian Hodaj mbante postin e zëvendësministrit të Brendshëm prej 9 tetorit 2017, duke shërbyer për më shumë se tetë vite në këtë detyrë.

Hodaj ka një karrierë të gjatë në fushën ligjore dhe institucionale. Në të shkuarën ai ka shërbyer si këshilltar ligjor i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ku ka kontribuar në hartimin e pjesëve të rëndësishme të legjislacionit material dhe procedural, si dhe në përgatitjen e analizave dhe dokumenteve për çështje specifike ligjore.

Në të njëjtën mbledhje, qeveria ka miratuar edhe një vendim për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Sipas vendimit, policët do të përfitojnë një vakt ushqimor brenda 8-orarëshit të punës, ndërsa në rastet e turneve të zgjatura dhe situatave të veçanta do të sigurohen deri në tre vakte.

Vendimet e sotme u firmosën nga Kryeministri Edi Rama dhe hyjnë në fuqi menjëherë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme