“Në Kohë Reale” – Historia prekëse e Elonës, 11-vjeçarja që ka përballuar 23 operacione dhe jep shpresë për fëmijët e sëmurë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Elona Çollaku, vetëm 11 vjeç, është një vajzë që ka përballuar plot 23 operacione që nga lindja, duke u bërë shembull i forcës dhe kurajos.

E ftuar në studion e emisionit “Në Kohë Reale” të moderuar nga Flori Gjini, Elona tregoi sfidat e saj të përditshme, dhimbjet e shumta, por edhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar.

Pavarësisht gjendjes së saj shëndetësore, ajo ndjek rregullisht shkollën dhe është aktualisht në klasën e gjashtë.

Elona rrëfeu se kushtet fizike nuk janë të përshtatshme për të, duke përmendur vështirësitë për të përdorur karrocën në rrugën drejt klasës apo në tualet.

Sot nxënëse e klasës së gjashtë dhe vazhdon të ndjekë shkollën rregullisht, pavarësisht sfidave të mëdha shëndetësore.

Ajo është bërë shembull force dhe kurajoje jo vetëm për familjen e saj, por edhe për shokët e klasës dhe bashkëmoshatarët që vuajnë nga probleme të ngjashme.

Elona jep mesazhe inkurajuese për ta, duke treguar se pavarësisht dhimbjes dhe vështirësive, nuk duhet të dorëzohen.

Në bisedat me mjekët, të cilët shpesh i kanë thënë se nuk ka për t’u bërë mirë, Elona ka reaguar me vendosmëri dhe besim të palëkundur.

“Ti Elona nuk bëhesh,” më thoshin doktorët, por unë u përgjigjesha: “Me ndihmën e Zotit do bëhem më mirë,” rrëfen ajo.

“Kur jam e sëmurë nuk i ndjek dot orët e plota,” u shpreh ajo.

Mes emocioneve, Elona tregoi edhe momentet e vështira kur sheh nënën të qajë.

“Është shumë e vështirë për mua kur shikoj mamin duke qarë dhe ndihem shumë keq,” tha ajo.

Ajo kujtoi bisedat me mjekët, të cilët shpesh i kanë thënë se nuk do të bëhet mirë, por Elona ka reaguar me forcë dhe besim.

“Ti Elona nuk bëhesh, më thoshin. Unë insistoj dhe u them se me ndihmën e Zotit do bëhem më mirë,” tregoi mes lotësh.

Operacioni i fundit e ka kryer në Turqi, ku ka kaluar muaj të tërë për t’u rikuperuar.

“Operimin e fundit e kam bërë në Turqi, kisha shumë dhimbje, mamin nuk e shikoja dot duke qarë,” rrëfeu Elona.

Nëna e saj, Ermira, tregoi se vajza ka lindur me hidrocefali dhe që prej ditës së parë të jetës ka kaluar ndërhyrje kirurgjikale.

“Ndërhyrjen e parë e ka bërë që një ditësh fëmijë. Operacioni i parë ka zgjatur rreth 4 orë dhe më pas vazhduan operacionet e tjera. Një rast tjetër në Maqedoninë e Veriut ka zgjatur 8 orë,” tha Ermira.

Ajo shtoi se ka pasur raste kur Elona ka kryer deri në katër operacione brenda një viti.

“Elonës i prodhon truri ujë dhe shtylla kurrizore. Janë operacione që bëhen vazhdimisht. Tani ka vetëm një vit që ka bërë operacionin e fundit, ku i vendosën tre aparate në kokë,” shpjegoi Ermira.

Prej 12 vitesh jetojnë në Tiranë, pasi erdhën nga Korça, duke jetuar me qira.

“Erdha nga Korça vetëm për gocën. Direkt pas lindjes së Elonës u vendosëm këtu me shtëpi. Unë jam përkushtuar vetëm Elonës dhe nuk punoj. Që kur kam lindur gocën, jam divorcuar dhe jetoj vetëm me të,” rrëfeu Ermira.

Gazetarja e RTSH-së, Sonila Mlloja, kujtoi takimin e parë me Elona dhe nënën e saj.

“Për herë të parë jemi takuar në një konferencë për prindërit e fëmijëve me çrregullime të spektrit autik. Ishte një lloj dëgjese dhe aty takova Ermirën, e cila më tregoi historinë e vajzës së vet dhe operacionet që ka përjetuar Elona,” tha Mlloja.

Gazetarja shtoi se operacioni i 24-të është i domosdoshëm dhe duhet kryer patjetër.

“Operacioni i 24 është një ndërhyrje që duhet bërë patjetër sepse rrezikon jetën nëse nuk kryhet. Mjekët i kanë thënë se ti nuk ke për t’u bërë, një përgjigje jo etike, por reagimi i vajzës ka qenë aq i ndjerë sa duhet të shpresojmë derisa ka jetë,” u shpreh Mlloja.

Ndërkohë, aktivistja për mbështetjen e fëmijëve me aftësi ndryshe, Brixhilda Muça, deklaroi se operacioni i radhës do të kryhet sapo të sigurohet fondi i nevojshëm.

“Operacioni i 24 do të kryhet në momentin që të kemi siguruar fondin e nevojshëm,” tha Muça.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme