Debati për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Muça: Berisha pranoi se firmat u dhanë me vullnetin e tij, për të krijuar panoramën e bashkimit
Në emisionin “3D”, situata politike brenda kampit opozitar të Partisë Demokratike u bë epiqendër e debatit mes gazetarit Flogert Muça dhe analistit Sami Neza.
Të dy sollën perspektiva të ndryshme mbi mënyrën se si u menaxhua procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Gazetari Flogert Muça tha se ish-kryeministri Sali Berisha e ka pranuar se mbledhja e firmave është bërë me vullnetin e tij, duke kërkuar falje dhe duke dhënë arsyet pse u dha vota.
Sipas tij, kjo ishte pjesë e një strategjie për të krijuar panoramën e bashkimit brenda opozitës.
“Berisha e pranon që mbledhja e firmave është me vullnetin e tij, dhe këtë e bën duke kërkuar falje dhe jep arsye pse u dha vota. Pra kishte një strategji, që meqenëse ai kishte si qëllim të krijonte panoramën që të gjithë jemi bashkë.”
Gazetari Muça e cilësoi këtë proces si një marrëveshje të fshehtë mes palëve:
“Ky ka qenë një pazar. Të dy palët kanë dashur të vendosin z. Shabani si Avokat të Popullit. Pavarësisht debatit, mua më duket më shumë si ndarje pusheti nga dy të mëdhenjtë sesa një mosmarrëveshje mes tyre. Këta kur vjen puna për të ndarë pushtet dhe për të bërë gjëra më të mëdha, i bëjnë bashkë rregullat e lojës. Kur bëjnë amnistitë penale i bëjnë bashkë. Kur bëjnë amnisti të paqes fiskale, i bëjnë bashkë.”
Ai shtoi se palët shmangën çdo debat të rëndësishëm, duke e kthyer Avokatin e Popullit në epiqendër për të devijuar opinionin publik:
“Të dy palët shmangën çdo lloj debati të rëndësishëm dhe debatin më të parëndësishëm që ishte Avokati i Popullit e bënë epiqendër, duke drejtuar opinionin publik.”
Nga ana tjetër, analisti Sami Neza kundërshtoi këtë qasje, duke theksuar se nuk ka pasur strategji të mirëfilltë dhe se lidershipi i PD ka vepruar gabim politikisht:
“Sigurisht që nuk ka pasur një strategji dhe është një sjellje e gabuar politikisht nga lidershipi i PD.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




