Lebra rishfaqet në Evropë – Raportohen raste në Rumani dhe Kroaci
Dy vende të Evropës Lindore kanë raportuar së fundmi rishfaqjen e lebrës, një sëmundje që dukej se i përkiste të kaluarës së kontinentit. Në Rumani, 44 vjet pas rastit të fundit të regjistruar në vitin 1981, autoritetet shëndetësore konfirmuan katër raste të dyshuara, të gjitha që përfshijnë shtetase aziatike të punësuara në një sallon masazhi në Cluzh-Napoka.
Autoritetet rumune urdhëruan menjëherë mbylljen e përkohshme të biznesit derisa të përfundojë hetimi epidemiologjik. Ministria e Shëndetësisë siguroi qytetarët duke shpjeguar se, sapo të fillojë trajtimi farmakologjik, rreziku i transmetimit zvogëlohet gradualisht derisa të zhduket, në përputhje me protokollet ndërkombëtare.
Ndërkohë, Kroacia njoftoi një rast të izoluar të një punëtori nepalez, prej dy vitesh rezident në këtë në vend. Autoritetet bënë me dije se kontaktet e ngushta të të prekurit kanë marrë terapi parandaluese pas ekspozimit, megjithëse nuk janë gjetur të infektuar. Rasti i fundit në vendin ballkanik me lebër daton që nga viti 1993.
Autoritetet e dy vendeve thanë se sëmundja nuk përbën alarm për popullatën e përgjithshme, pasi gjithçka ishte nën kontroll. Lebra, e njohur edhe si sëmundja e Hansenit, është një sëmundje kronike infektive e shkaktuar nga një bakter që transmetohet kryesisht përmes pikave të frymëmarrjes të lëshuara nga kolla ose teshtitja.
Megjithatë, transmetimi ndodh vetëm përmes kontaktit të zgjatur me një person të infektuar, duke e bërë sëmundjen shumë më pak ngjitëse sesa sëmundjet e tjera të frymëmarrjes. Sëmundja manifestohet me lezione të lëkurës dhe dëmtime të nervave periferikë, të cilat shkaktojnë humbje të ndjeshmërisë dhe një ndjenjë dobësie të përgjithshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




