Padia e Trump për shpifje, reagon BBC: Do e mbrojmë çështjen ligjërisht

Pas padisë së ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump prej 5 miliardë dollarësh kundër BBC-së për një redaktim të fjalimit të tij të 6 janarit 2021 në një dokumentar të publikuar në revistën televizive Panorama, ka ardhur dhe reagimi i BBC-së, e cila bën me dije se do të mbrojë padinë e ngritur.
Një zëdhënës i BBC-së tha se” “Siç e kemi bërë të qartë më parë, ne do ta mbrojmë këtë çështje. Nuk do të bëjmë komente të mëtejshme mbi procedurat ligjore që janë në vazhdim”.
Trump akuzoi transmetuesin për shpifje dhe për shkelje të një ligji për praktikat tregtare, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura në Florida. BBC i kërkoi falje Trump muajin e kaluar, por hodhi poshtë kërkesat e tij për kompensim dhe nuk u pajtua se kishte një “bazë për një pretendim për shpifje”.
Ekipi ligjor i Trump akuzoi BBC-në për shpifje ndaj tij duke “manipuluar qëllimisht, keqdashës dhe mashtruesisht fjalimin e tij”.
Në fjalimin e tij më 6 janar 2021, përpara një trazire në Kapitolin e SHBA-së, Trump iu drejtua turmës duke i thënë se: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe kongresmenet tona të guximshme”. Më shumë se 50 minuta më vonë në fjalim, ai tha: “Dhe ne luftojmë. Ne luftojmë si ferr.”
Në programin Panorama, një klip e tregoi atë duke thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe unë do të jem atje me ju. Dhe do të luftojmë. Do të luftojmë si ferr.”
BBC pranoi se redaktimi kishte dhënë “përshtypjen e gabuar” se ai kishte “bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme”, por nuk u pajtua se kishte bazë për një pretendim për shpifje.
Në nëntor, një memo e brendshme e BBC-së që u publikua, kritikonte mënyrën se si ishte redaktuar fjalimi që çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe drejtueses së lajmeve, Deborah Turness.
Përpara se Trump të ngrinte padinë, avokatët e BBC-së kishin dhënë një përgjigje të gjatë ndaj pretendimeve të presidentit. Ata thanë se nuk kishte asnjë qëllim të keq në redaktim dhe se Trump nuk u dëmtua nga programi, pasi ai u rizgjodh menjëherë pasi u transmetua.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




