Emigrantët vijnë për festa – Porti i Durrësit nga 18 dhjetori lundrime të dyfishta, 24 sportele për kontroll
Në portin e Durrësit nis fluksi i ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit. Nga e enjtja e 18 dhjetorit, për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve dhe automjeteve nisin lundrimet e dyfishta të trageteve që lidhin dy brigjet e Adriatikut.
Kapiteni i portit të Durrësit Taulant Allka thotë se ditën e parë do të jenë tri tragete që do të mbërrijnë nga Bari, ndërsa lundrimet nga Ankona do të vijojnë në ditët normale; të mërkurë, të premte e të diel:
“Lundrimet e dyfishta janë deri në datën 24, para Krishtlindjeve, pastaj do të fillojnë në datën 1 janar me nisjen nga Durrës-Bari, por edhe anasjelltas me sistem dopio corse. Do të kemi pesë tragete në datat 18, 19 dhe 20 nga Durrësi dhe nga Ankona”, tha kapiteni.
Sipas kapitenit të Portit të Durrësit, Taulant Allka, për të përballuar fluksin në rritje në hyrje dhe dalje të portit, Policia Kufitare do të punojë me 24 sportele për kontrollin e dokumenteve.
“Policia kufitare pritet të shtojë kapacitete dhe deri në 24 sportele. Edhe forcat e sigurisë së Portit të Durrësit do të punojë me sportele të shtuara për të përballuar me sukses këtë fluks”, theksoi kapiteni.
Sipas të dhënave nga agjencitë detare të cilat operojnë në linjat Durrës-Bari, Durrës-Ankona ka një rritje të lehtë të rezervimeve krahasuar me një vit më parë dhe ata janë kryesisht shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali dhe Zvicër që kanë zgjedhur portet e vendeve fqinjë për të ardhur në Shqipëri.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




