Presidentja Osmani takohet me Presidentin e KiE-së, Antonio Costa: BE të hiqë të gjitha masat, Kosova meriton të marrë statusin e kandidatit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Bruksel në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, është pritur në një takim nga Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.
Në fjalën e saj, Osmani deklaroi se mirëpret vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, por theksoi se nevojitet heqja totale e tyre.
“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian”, shkruan Osmani në rrjetin social Facebook.
Presidentja theksoi se në takimin me Costan nënvizoi faktin se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, të cilat sikurse shton ajo, ishin të padrejta.
“Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




