Tentoi të vriste një person, arrestohet 36-vjeçari, në pranga dhe dy të tjerë për përkrahjen e tij
Policia e Tiranës ka arrestuar një 36-vjeçar si autor të plagosjes së shtetasit Mariglen Jata mbrëmjen e 23 nëntorit në zonën e Institutit.
Në pranga kanë përfunduar dhe 2 përkrahës të 36-vjeçarit, njëri prej tyre e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, kur kreu krimin, ndërsa tjetri shoqërohej me të, në momentin e ndalimit.
Si rezultat i punës informative dhe ndjekjes së kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me objektiv kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri, të shtetasit Mariglen Jaka, në rrugën “Ramadan Citaku”, më datë 23.11.2025, u finalizua operacioni “Akuza”.
Në kuadër të operacionit, u lokalizuan dhe u ndaluan shtetasit:
-F. F., 36 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
-I. L., 32 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi M. N., 30 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. F. ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Mariglen Jata, dhe pas krimit është ndihmuar nga shtetasi I. L., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
36-vjeçari u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin ai lëvizte bashkë me shtetasin M. N., nga Instituti deri në bulevardin “Nënë Tereza”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



