Krijohet Akademia e Trajnimit të Qeverisjes Vendore, ambasadorja zvicerane: Kontribut në reformën e decentralizimit, përmirëson shërbimet

Një vizion i ri për forcimin e qeverisjes vendore dhe përgatitjen e bashkive për sfidat e integrimit evropian u prezantua sot me lançimin e Akademisë së Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore. Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt profesionalizimit të administratës lokale, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe ndërtimit të një pushteti vendor më efikas, në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Në aktivitetin e prezantimit të Akademisë së Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore foli edhe Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Ruth Huber, e cila e cilësoi këtë nismë si një moment të rëndësishëm për qeverisjen vendore në vend.
“Sot vendosim një gur kilometrik të rëndësishëm në sistemin e qeverisjes vendore të Shqipërisë, me lançimin e Akademisë së Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, një institucion i ri kombëtar. Kjo akademi vjen si rezultat i viteve të tëra pune të përbashkët dhe analizash vendore, ku të gjithë partnerët kanë luajtur rolin e tyre në konceptimin dhe ndërtimin e saj”, u shpreh Huber.
Ajo theksoi se Akademia përfaqëson një kontribut të ri në reformën e decentralizimit, duke ndihmuar në përkthimin e politikave përkatëse në zbatim konkret në nivel vendor.
“Administrata publike mund ta bëjë procesin e decentralizimit më të mirë për qytetarët. Një aspekt kyç i Akademisë është pronësia e përbashkët, si përgjegjësi dhe financim i përbashkët nga qeveria qendrore dhe pushteti vendor, për të pasqyruar një vizion afatgjatë dhe të qëndrueshëm të qeverisjes”, shtoi ambasadorja.
Sipas saj, janë vetë bashkitë që po investojnë burimet e tyre, ndërsa qeveritë vendore janë pararojë e reformave të Bashkimit Evropian, pasi forcimi i kapaciteteve të tyre nënkupton politika më të prekshme për jetën e qytetarëve.
“Akademia do të trajnojë profesionistë që do të sjellin cilësi më të lartë në shërbime. Si një institucion kombëtar për qeverisjen vendore, ajo ofron koherencë dhe një vizion të qartë. Menaxhimi i njohurive do të mundësojë që praktikat më të mira të ndahen fillimisht brenda Akademisë dhe më pas me të gjitha bashkitë”, theksoi Huber.
Në përfundim, ajo e cilësoi krijimin e Akademisë si fillimin e një kapitulli të ri për qeverisjen vendore në Shqipëri, që simbolizon partneritet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të përbashkët mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, duke riafirmuar mbështetjen e Zvicrës për reformat e decentralizimit dhe qeverisjes vendore në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




