Arrestohet në Mal të Zi dhe ekstradohet në Shqipëri 31-vjeçari i akuzuar për kultivim narkotikësh

Arrestohet në Mal të Zi dhe ekstradohet në Shqipëri nga Interpol Tirana, një 31-vjeçar i akuzuar si bashkautor i kultivimit të mijëra bimëve narkotike, në disa fshatra të qarkut Lezhë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Podgoricës, u kap në Mal të Zi dhe u ekstradua në Shqipëri shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar Magiljan Deda, 31 vjeç, i lindur në Lezhë.
Në muajin prill të këtij viti, Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Magiljan Deda akuzohet se ka kultivuar, në bashkëpunim me shtetasit e identifikuar gjatë operacionit policor të koduar “Vakumi”, mijëra bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshtë, Lezhë, të cilat janë përpunuar më pas me qëllim shitjen.
Shitja e lëndës narkotike u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë së Lezhës, në kuadër të operacionit “Vakumi”, të cilat sekuestruan në fshatin Balldre, në muajin prill të këtij viti, 3 thasë me rreth 34 kg cannabis.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




