Kryepeshkop Joani, mesazhe paqeje, vizita e kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Shkodër

Aktualitet | 11 muaj më parë

Mesha e kësaj të diele në Kishën Ortodokse të Shkodrës u mbajt në praninë e Kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Joan Pelushi.

Gjatë fjalës së mbajtur para besimtarëve, Kryepeshkopi theksoi rëndësinë e ecjes sipas parimeve dhe porosive të Zotit, si një mënyrë për t’u larguar nga fenomenet negative me të cilat po përballet sot shoqëria.

 “Në botën e sotme është pakësuar dashuria. Njerëzit nuk duan ta dinë më për njëri-tjetrin. Ndaj ka një jetë të mjeruar sepse i vetmuar nuk mund të ndihesh i plotë. Ne jemi qenie komunitare. Është shumë e rëndësishme për një të krishterë, sepse i krishteri nuk është vetëm për vete dhe Kisha nuk është vetëm për veten e saj, por për të gjithë njerëzit e tjerë.” – u shpreh Atë Joan Pelushi, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Mesazhi i Krishtlindjes, siç u shpreh ai, është një thirrje për pastrimin e zemrës dhe për veprim të përditshëm në përputhje me vlerat e besimit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit.

 “Krishtlindja është një dritë për të ndezur kandilin e shpirtit tonë dhe për të përhapur këtë dritë jo vetëm në jetën tonë, por në jetën e gjithë njerëzve.”

Kjo ishte vizita e parë e Kryepeshkopit Joan në Shkodër pas zgjedhjes në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me këtë rast, ai u prit në një takim zyrtar nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si dhe zhvilloi vizita në selinë e Myftinisë dhe të Arqipeshkëvisë së Shkodrës, ku u prit nga drejtuesit e komuniteteve fetare.

Gjatë këtyre takimeve u vlerësua fryma e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe harmonisë fetare, që historikisht karakterizon qytetin e Shkodrës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme