Osmani takohet me zv/sekretarin amerikan të Shtetit, shprehu mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës

Gjatë takimit me Zëvendës Sekretarin amerikan të Shtetit Kristopher Landau, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i shprehu mirënjohje për nënshkrimin nga ana e presidentit Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, mbi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca e Kosovë, Osmani foli gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë- SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
“Presidentja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar punën e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump, siç është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për Administratën e Presidentit Trump”- thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, Presidentja ngriti edhe çështjen e shkeljeve flagrante nga ana e Serbisë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke kërkuar mbështetjen e administratës Trump për këtë çështje.
Lidhur me raportet Kosovë- Serbi, Osmani shprehu mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarja.
“Kjo qasje, -shtoi ajo, – është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë”.
Në takim me Zëvendëssekretarin Landau, i dyti brenda këtij viti, presidentja Osmani ritheksoi se vendi i saj do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatin e përhershëm të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




