Vigjilje Krishtlindjesh, Dom Mark Pashkja: Këmbanat zgjojnë ndërgjegjen dhe vetëdijen e besimtarëve. Të reflektojmë përmes dashurisë
Në Vigjilje të Krishtlindjeve, emisioni “Trialog” në RTSH u spostua këtë të mërkurë (24 dhjetor) në ambientet e Kishës Katolike në Tiranë, për të zhvilluar një intervistë me Dom Mark Pashkja. Zëdhënësi i Kishës Katolike ndau domethënien e kësaj nate të shenjtë për besimtarët. Ai shpjegoi se vigjilja lidhet me pritjen e agimit të shenjtë, një moment që besimtarët e kalojnë në vigjilencë dhe lutje.
“Vetë vigjilja vjen pikërisht nga vetë momentet që besimtarët rrinë duke vigjëluar, duke pritur agimin e shenjtë. Ajo që i karakterizon besimtarët gjatë këtyre orëve janë pikërisht oraret e pritjes. Tingujt e kambanave dëshirojnë të zgjojnë atë ndërgjegjen dhe vetëdijen e besimtarëve që duhet të qëndrojnë zgjuar për të pritur momentin. Veprimtaria jonë si klerikë shtrihet në dy dimensione, i pari është ai shpirtëror. Një përgatitje e drejtë e duhur në atë çfarë është Krishtlindja. Përgatitja enjë ambienti sa më të përshtatshëm, mbi të gjitha shpirtëror, për të festuar, kremtuar lindjen e Krishtit. Në aspektin e dytë, kjo pritje shpirtërorë shtrihet edhe në nivel marrëdhëniesh. Jemi të prirur që ta reflektojnë në marrëdhëniet me njerëzit, familjarët, në rastin tonë besimtarët, në mënyrë që ky gëzim që vjen nga pritja të dimë ta kalojmë edhe te besimtarët në mënyrë që në të dy dimensionet, si ai shpirtëror edhe ai material të jemi gati për të festuar natën e Krishtlindjes”, tha ai.
Në mesazhin e tij, zëdhënësi i Kishës Katolike nënvizoi se Krishtlindja është simbol i dashurisë pa kushte. Ai shtoi se dashuria nuk mund të detyrohet, por vetëm të pranohet dhe të përqafohet.
“Krishtlindja transmeton këtë mesazh shumë të madh ‘Zoti bëhet njeri që njeriu të bëhet si Zoti’. Pra dashuria e Zotit ndaj njeriut është e tillë pa kusht që çfarëdo që të bëjë njeriu, Zoti nuk rresht së dashuri dhe ndaj vjen edhe i biri. E detyrueshme për ne është që sadopak të reflektojmë nga kjo dashuri e vetë Zotit sepse në vetvete, Zoti nëpërmjet Krishtit bëhet njeri, që njeriu të bëhet si Zoti. Në vetvete, Krishtlindja, pa marrë parasysh besimin, domethënia është shkurtimi i distancës mes njeriut dhe Zotit, mes njerëzores dhe hyjnores është i tillë sa njeriu bëhet i denjë që Zoti të bëhet si ai. Krishtlindja shkurton këtë distancë dhe njeriu në një farë mënyre hyjnizohet sepse i dhurohet kjo dashuri falas. Dhe për çdo të krishterë, çdo njeriu, çdo klerik ajo që është e detyrueshme është njëkohësisht ajo që nuk është e detyrueshme sepse dashuria nuk mund të detyrohet, thjesht përqafohet dhe pranohet”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




