Operacione kundër ISIS në Turqi, vriten tre oficerë policie dhe plagosen nëntë të tjerë

Botë | 10 muaj më parë

Tre oficerë të policisë turke kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur gjatë një operacioni të ndërmarrë të hënën ndaj grupit terrorist të Shtetit Islamik (ISIS) në veriperëndim të vendit.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, bëri me dije se ngjarja ndodhi në Yalova, në bregdetin e Marmarasë, gjatë operacionit ku u vranë gjashtë anëtarë të ISIS.

“Fatkeqësisht tre nga oficerët tanë të policisë humbën jetën. Tetë oficerë të tjerë dhe një agjent sigurie u plagosën,” – u shpreh Yerlikaya, duke shtuar se operacione të ngjashme u ndërmorën në 108 adresa në 15 provinca të vendit, përfshi edhe Yalovan.

Sipas ministrit turk, gjashtë operativët e ISIS që u vranë ishin shtetas të Turqisë, ndërkohë që u shpëtuan dhe u evakuuan pesë gra dhe gjashtë fëmijë që ndodheshin me ta.

Javën e kaluar, prokuroria e Stambollit urdhëroi ndalimin e 137 anëtarëve të dyshuar të ISIS, pas marrjes së informacioneve se ky grup kishte planifikuar sulme gjatë festave të fundvitit.

Turqia, e cila ndan një kufi prej 900 kilometrash me Sirinë, përballet shpesh me infiltrime ndërkufitare nga militantët e ISIS. Grupi terrorist është akuzuar së fundmi për vrasjen e tre ushtarëve dhe një përkthyesi amerikan në Palmira, në qendër të Sirisë.

Po javën e kaluar, inteligjenca turke njoftoi arrestimin në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit të një udhëheqësi të dyshuar të ISIS, i cili besohet se kishte ideuar dhe planifikuar sulme vetëvrasëse në rajon dhe në Europë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme