Zgjedhjet në Kosovë- Numërohen votat e diasporës, LVV kryeson me mbi 72%

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë ka përfunduar numërimi i mbi 27 mijë votave të dërguara me postë nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm këtë proces. Ajo ka marrë 72.20 për qind të votave me postë, ose mbi 19 mijë vota.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sqaroi se ky nuk është ende numërimi përfundimtar i votave nga jashtë vendit. Sipas tij, më 2 dhe 5 janar janë tërhequr pako të tjera me fletëvotime që do të futen në proces. Janë rreth 20 mijë pako që pritet të numërohen shumë shpejt, pas verifikimit.
Nga votat me postë të numëruara deri tani, LDK ka marrë 10.15 për qind, ndërsa PDK 9.56 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet pas tyre me 3.90 për qind të votave.
KQZ ka bërë me dije se janë mbi 9.900 votues të regjistruar për votim me kusht në 38 komuna të vendit. Po ashtu, 2.860 persona janë regjistruar në programin e votimit për qytetarët me nevoja të veçanta.
Sipas rezultateve të deritanishme, KQZ pret që shpallja përfundimtare të bëhet më herët se afati i 19 janarit.
Sipas rezultateve të përmbledhura deri më tani, LVV-ja ka fituar 50.67 për qind të votave, PDK-ja 20.43 për qind, LDK-ja 13.33 për qind, AAK-ja 5.52 për qind dhe Lista Serbe 4.56 për qind.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




