Rrëshqitje dherash në aksin Gjirokastër–Tepelenë, Policia apelon për shmangie të lëvizjeve të panevojshme

Aktualitet | 10 muaj më parë

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të një masivi dheu dhe guresh në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në segmentin e njohur si “Shkalla e Zezë”.

Si pasojë e ngjarjes, qarkullimi në këtë pjesë të rrugës po kryhet vetëm me një sens lëvizjeje.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër ka bërë të ditur se strukturat e saj, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARrSh), po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal.

Për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës, është rritur prezenca e shërbimeve policore në terren, me uniformë dhe automjete të pajisura me fenelina, në të gjitha akset e qarkut.

Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e ndihmës së menjëhershme për drejtuesit e mjeteve në rast nevoje.

Policia e Gjirokastrës apelon për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve, respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme, pasi në disa akse ka prezencë uji.

Në njoftimin zyrtar theksohet se për çdo problematikë apo emergjencë, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, ku shërbimet e policisë janë në dispozicion të plotë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme