Situata e përmbytjeve në Qarkun Lezhë/ Autoritetet në gatishmëri, çarja e argjinaturës së lumit Drojë rrezikon hidrovorët

Territori i Qarkut Lezhë vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu, ku sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër, gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 29 mm shi.
Reshjet kanë shkaktuar probleme në disa zona, duke vënë në lëvizje strukturat e emergjencës dhe shërbimet bashkiake.
Nga Salla Operative e Policisë Kurbin dhe ekipet e emergjencës civile të bashkisë u raportua se rreth orës 06:00 një familje në afërsi të Hidrovorit të Drojës, në Fushë Mamurras, kërkoi ndihmë pasi uji kishte rrethuar banesën e tyre.
Shërbimet bashkiake po organizohen për t’i ardhur në ndihmë. Probleme të ngjashme janë evidentuar edhe në afërsi të rrugës Laç–Mamurras, në lagjen nr.5 Sanxhak dhe në fshatin Gjorm, ku 5–6 banesa janë të rrethuara nga uji.
Shqetësuese mbetet çarja e argjinaturës së lumit Drojë në krahun e Durrësit, e cila ka sjellë mbingarkesë në hidrovorët e Drojës dhe Shëllinzës, duke rritur nivelin e ujit në tokat bujqësore të zonës së Adriatikut dhe fshatrave të njësisë administrative Fushë Kuqe.
Nga bashkia Lezhë raportohet se gjatë natës shërbimet e MZSH dhe emergjencës civile ndërhynë për largimin e ujit nga një banesë në Shëngjin dhe një palestër në qytetin e Lezhës. Ekipet e emergjencës verifikuan gjithashtu raste rrëshqitjesh të tokës pranë banesave në fshatin Torovicë, në Tresh dhe në lagjen Shehër të qytetit.
Ndërkohë, nga Salla Operative e Policisë Mirditë dhe bashkia Mirditë nuk janë raportuar probleme të reja që nga njoftimi i fundit.
Drejtoria e Ujërave Kullues (DRUK) ka njoftuar se të gjithë hidrovorët në Qarkun Lezhë kanë punuar pa ndërprerje, por më problematikë mbeten hidrovorët e Drojës dhe Shëllinzës në bashkinë Kurbin, të cilët po funksionojnë në kuota kritike për shkak të dëmtimit të argjinaturës së lumit Drojë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




