Balluku: Strukturat në gatishmëri, njësitë operative punojnë pa ndërprerje në gjithë vendin

Aktualitet | 10 muaj më parë

Moti i keq që ka përfshirë disa zona të vendit ka vënë në lëvizje të gjitha shërbimet e emergjencës dhe institucionet përgjegjëse.

Krahas ndërhyrjeve në infrastrukturë dhe përpjekjeve për largimin e ujit nga zonat e përmbytura, po punohet edhe për garantimin e furnizimit me energji elektrike dhe qarkullimit normal në akset rrugore.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe se kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, për të minimizuar problematikat e shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Ajo deklaroi se nata e kaluar ka qenë sfiduese për të gjitha njësitë operative, të cilat kanë qenë në krye të detyrës pa ndërprerje.

“Natë sfiduese për të gjitha njësitë operative të terrenit, që janë në krye të detyrës pa reshtur, për të mbajtur shërbimet e pandërprera, në të katër anët e vendit” u shpreh Balluku.

Ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po punojnë intensivisht për riparimin e dëmtimeve në rrjetin energjetik, me synim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike në zonat e prekura.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se të gjitha strukturat mbeten në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo problematike që mund të paraqitet si pasojë e kushteve atmosferike.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme