Përmbytjet, Ministria e Shëndetësisë: Strukturat në gatishmëri. 174 transportime pacientësh dhe 243 ndërhyrje në terren

Teksa vendi po përballet e situata të vështira për shkak të përmbytjeve, shkaktuar nga reshjet intensive që vijojnë prej ditësh, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se po ndjek në mënyrë me vëmendje të shtuar situatën në terren dhe funksionimin e të gjitha strukturave shëndetësore në rang kombëtar.
Sipas Ministrisë, aktualisht të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa ekipet janë angazhuar në terren, për të garantuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve shëndetësore.
Në zonat e prekura nga reshjet intensive të shiut dhe dëborës, ekipet shëndetësore po monitorojnë nga afër situatën, duke ndërhyrë në kohë reale aty ku paraqitet nevoja, si dhe duke siguruar funksionimin normal të qendrave shëndetësore, pikave ambulatore dhe strukturave spitalore.
Sipas Ministrisë, në zonat e prekura nga përkeqësimi i motit janë realizuar 174 misione me transport të pacientëve drejt strukturave spitalore dhe 243 misione me trajtim në vendngjarje, pa nevojë për transport.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale siguron qytetarët se strukturat shëndetësore do të vijojnë të jenë në shërbim të tyre, me përgjegjësi të plotë dhe prezencë të shtuar në terren, deri në normalizimin e plotë të situatës, ndërsa u bën thirrje të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zona me reshje intensive, apo vështirësive në terren. Në çdo rast emergjence shëndetësore të njoftojnë menjëherë ekipet e urgjencës mjekësore në numrin 127, kudo ku ata ndodhen”, thuhet në njoftim.
Situata sipas rajoneve
Rajoni i Tiranës
Në rajonin e Tiranës shërbimi shëndetësor vijon të ofrohet.
NJVKSH Durrës
• Qendrat shëndetësore kryesore raportojnë funksionim normal, pa ndërprerje të energjisë dhe ujit, si dhe me medikamente emergjence në dispozicion.
• Në disa zona, për arsye sigurie dhe aksesueshmërie, shërbimi/vaksinimi është riorganizuar në pika alternative brenda të njëjtës qendër ose në një ambulancë tjetër.
NJVKSH Kavajë
• Situata paraqitet e përmirësuar; aktualisht nuk ka prani uji në qendra apo pika ambulatore.
• Shërbimi vijon, me riorganizim të përkohshëm të kartelave dhe shërbimit aty ku ka qenë e nevojshme.
Rajoni i Elbasanit
Si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës, janë evidentuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor në disa zona rurale, por shërbimi shëndetësor vijon të ofrohet pa ndërprerje.
Rajoni i Shkodrës
Shërbimi shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat vijon normalisht.
• Për NJVKSH Shkodër ka vëmendje të shtuar në zonat me risk të mundshëm, në koordinim me pushtetin vendor.
• Në Malësi e Madhe, Pukë, Lezhë, Kukës, Kurbin, Mirditë, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika.
Rajoni i Vlorës
Reshjet e dendura kanë sjellë problematika në disa zona, veçanërisht pranë basenit të lumit Vjosa, me ndikim në qarkullimin rrugor dhe lëvizjen e personelit shëndetësor.
• Në disa qendra, shërbimi vijon falë stafit shëndetësor banues në zonë.
• Raportohen vështirësi për shkak të bllokimit të rrugëve dhe rëshqitjeve të dherave në disa fshatra, ndërkohë që shërbimi vazhdon të ofrohet përmes organizimit në terren.
• Në disa zona janë raportuar ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike, ndërsa zinxhiri i ftohtë për vaksinat po mbahet në kushte të kontrolluara.
Në NJVKSH-të e tjera të rajonit (Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Mallakastër, Sarandë, Fier, Lushnje, Përmet), situata në përgjithësi paraqitet e qetë dhe shërbimi vijon të ofrohet si normalisht, por me monitorim të vazhdueshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




