22 vjet nga tragjedia e 9 janarit, familjarët apel drejtuesit të ri të SPAK: Duam drejtësi

Aktualitet | 10 muaj më parë

Kanë kaluar 22 vite nga tragjedia e 9 janarit 2004, ku humbën jetën 28 persona, ndërsa familjarët e viktimave vijojnë të kërkojnë drejtësi.

Të zhgënjyer ndër vite, anëtarët e Shoqatës “9 Janari” kanë ripërsëritur edhe një herë apelin e tyre drejtuar organeve të drejtësisë, e veçanërisht drejtuesit të ri të SPAK-ut, për rihapjen e dosjes së kësaj tragjedie, ku humbën jetën 28 persona nga qarku i Shkodrës.

“Familjen time e asgjësuan, kryesisht oficerë që ne i quajmë të Sigurimit,” shprehet një familjar.

“Kjo çështje është e pazbardhur dhe duhet të zbardhet, sepse kanë vdekur 28 veta dhe ka përgjegjësi nga përfaqësues të shtetit. I bëj thirrje SPAK-ut dhe prokurorit të ri të zgjedhur që ta zbardhin këtë ngjarje,” tha një tjetër familjar.

Çështja nuk është hetuar, ndaj pesë vite më parë shoqata “9 Janari” dorëzoi një padi në SPAK, me shpresën se strukturat e reja të drejtësisë do të sillnin zbardhjen e së vërtetës. Megjithatë, deri më tani kanë marrë një përgjigje negative.

Pavarësisht kësaj, familjarët nuk dorëzohen dhe vijojnë të kërkojnë hetime të plota dhe drejtësi për tragjedinë.

22 vite më parë, një gomone e nisur në mënyrë të fshehtë nga brigjet e Palasës, me 36 persona në bord, drejt Italisë, u shndërrua në një tragjedi. Si pasojë, 20 shqiptarë humbën jetën, ndërsa 8 të tjerë u zhdukën në det të hapur pa lënë gjurmë.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme