Abissnet Superiore në RTSH/ Shtatë herë në formacionin e javës, Dajsinani më i votuari

Abissnet Superiore | 10 muaj më parë

Mario Dajsinani, portieri i Egnatias, është lojtari që është votuar më shumë nga trajnerët e kombëtareve të moshave në FSHF, të cilët zgjedhin formacionin e javës. Në 18 ndeshje të dy fazave të para të kampionatit, ai ka qenë 7 herë pjesë e formacionit më të mirë të javës.

Jo më kot Dajsinani është një nga portierët që kërkohen nga skuadra të huaja në merkaton e dimrit. Destinacioni më i mundshëm për të është Metalist në Ukrainë dhe nëse lëvizja konkretizohet, rrogozhinasit do të humbisnin një element kyç të formacionit.

Përveç portierit kavajas, Egnatia ka edhe dy lojtarë të tjerë që janë ndër më të votuarit në formacionin e javës, mbrojtësin Arbenit Xhemajli dhe mesfushorin Albano Aleksi. Të dy kanë qenë nga 5 herë në skuadrën e javës në Abissnet Superiore.

Elbasani përfaqësohet me mbrojtësin Bruno Lulaj dhe sulmuesin Ibrahima Diallo në këtë klasifikim special, ku të dy lojtarët janë përzgjedhur nga 5 herë në formacionin e javës. Po kaq herë janë zgjedhur edhe Bekim Balaj i Vllaznisë dhe Dejvi Bregu i Dinamos.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme