Egnatia, Dede “kërcënon” Tiranën: Dua rezultatin që kënaq më shumë tifozët

“Nuk dua të jemi shumë të bukur, të marrim rezultatin që kënaq njerëzit më shumë”. Trajneri i Egnatias, Nevil Dede është i qartë në objektivin e tij për ndeshjen me Tiranën, që do të luhet në Vorë duke nisur nga ora 13:30.
Për dëmtimin e Sotës – “Tashmë ne e dimë dëmtimin e tij, ka nevojë për një ndërhyrje në kavilje, në Barcelonë e pret kirurgu, të hënën gjithçka do të bëhet e qartë. Më vjen keq për Sotën, po kalonte një formë shumë të mirë, një kandidat i mundshëm për Kombëtaren, por në futboll jo çdo gjë ecën sipas parashikimeve. Trishtim, por në fund fare ai është pjesë e jona shumë e rëndësishme, ne të gjithë e mbështesim”.
Trajneri i muajit – “Të gjitha urimet shkojnë për lojtarët. Patjetër që të vjen mirë kur vlerësohesh, por vlerësimi që unë marr është meritë e djemve për atë që japin në fushë. Gjithçka ua dedikoj atyre dhe kjo më bën mirë mua por edhe grupit. Sa më shumë vlerësime që të marrim, aq më pozitive është. Tregon realisht se kush është klubi ynë, organizimi, mënyra se si ne luajmë futboll”.
Përballja me Tiranën – “Tirana nuk ka nevojë për koment, është klubi me më shumë trofe të fituar, është një emër shumë i rëndësishëm i kampionatit tonë, Ne e presim me padurim ndeshjen për të treguar edhe njëherë që jemi gati, me gjithë respektin që kemi për Tiranën. Ne do shkojmë të luajmë dhe të mundohemi të tregojmë që edhe me kaq shumë ngarkesë do mundohemi të jemi gjithmonë të njëjtët”.
“Nuk do lodhem kurrë duke e thënë që djemtë në çdo ndeshje mundohen të jenë versioni më mirë. Pres që djemtë, ashtu si me Teutën që morën përgjegjësitë dhe treguan karakter shumë të fortë sportiv, deri në arritjen e rezultatit, të marrin përgjegjësitë e duhura, por mbi të gjitha të tregojnë futbollin me të cilin po mësojmë njerëzit. Nuk dua të jemi shumë të bukur, duhet të jemi atraktiv dhe në fund fare të marrim rezultatin që kënaq njerëzit më shumë”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




