Situata nga moti i keq në qarkun Gjirokastër: Problem rrëshqitja e dherave, rrugë të bllokuara në Zagori e Çajup, evakuohen disa banorë në Malëshovë të Këlcyrës

Prefekti i qarkut Gjirokastër ka raportuar mbi situatën e akseve rrugore dhe zonave të prekura nga moti i keq. Në disa bashki të qarkut vijojnë problematikat me rrëshqitje dherash, ku për pasojë janë bllokuar rrugët e disa fshatrave, ndërsa po ashtu janë evakuuar edhe disa banorë, banesat e të cilëve rrezikoheshin. Strukturat vendore dhe kontraktorët janë në terren për menaxhimin e situatës.
Bashkia Gjirokastër
Në aksin Gjirokastër–Tepelenë, km 17, vijon puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drino. Rruga e Qafës së Çajupit mbetet e bllokuar, ndërsa kontraktorët po punojnë për hapjen e saj. Në rrugën e Dhoksatit, njësia Lunxhëri, qarkullimi bëhet me fuoriatrada. Në qytetin e Gjirokastrës vazhdon puna për normalizimin e situatës, ndërsa mbi fshatin Mingul është shënuar një rrëshqitje masive kodre që po mbahet në monitorim.
Bashkia Libohovë
Në njësinë administrative Zagori, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Për ndërhyrje është kërkuar një fadromë me zinxhirë, për shkak të terrenit të vështirë.
Bashkia Memaliaj
Në njësinë Memaliaj (fshat), një rrugë e brendshme mbetet e bllokuar, duke izoluar pesë banesa. Në fshatin Tosk-Martalloz, njësia Luftinjë, rrëshqitja e dherave rrezikon një banesë, ndërsa terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen e mjeteve. Në fshatin Levan, njësia Krahës, rrëshqitjet janë përsëritur edhe pas ndërhyrjes së ekipeve, dhe pritet raporti i specialistëve gjeologë për hapat e mëtejshëm.
Bashkia Dropull
Nuk raportohen problematika.
Bashkia Përmet
Në njësinë Frashër është hapur rruga deri në Kokojkë, duke mundësuar lëvizjen drejt fshatrave Pagri, Borockë, Kreshovë, Soropull dhe Odrican. Në qytetin e Përmetit, dy familje të evakuuara nga lagjia Sede janë rikthyer në banesat e tyre, ndërsa vazhdon puna për pastrimin e dherave.
Bashkia Këlcyrë
Në fshatin Malëshovë, tre banesa ku jetojnë shtatë persona rrezikohen nga rrëshqitjet e dherave. Banorët janë evakuuar dhe strehuar te të afërmit e tyre. Në fshatin Luar, njësia Sukë, rruga është bllokuar nga dherat.
Bashkia Tepelenë
Situata paraqitet përgjithësisht normale. Në fshatin Dhëmblan, rruga kalohet me vështirësi për shkak të inerteve. Në aksin Tepelenë–Gjirokastër, pranë Shkallës së Zezë, vijon pastrimi i rrugës, me qarkullim vetëm në një korsi. OSHEE njofton se furnizimi me energji elektrike në gjithë qarkun është normal.
Lumi Vjosë
Niveli i ujit në Memaliaj është 4.7 metra, ndërsa në Përmet 4 metra.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




