Përmbytjet, Rama: Familjet e prekura do të dëmshpërblehen. Kemi gati planin, presim verifikimin përfundimtar
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut, do të marrin dëmshpërblim. Në podcastin “Flasim”, Rama theksoi se qeveria do të qëndrojë pranë qytetarëve të prekur, duke garantuar mbështetje për banesat dhe gjënë e gjallë.
“Ne do të qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik ndaj çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat qoftë për gjënë e gjallë. Puna jonë nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit por do të vazhdojë me riparimin e dëmit në infrastrukturë dhe çdo dëmi në familjet e prekura nga uji”, u shpreh ai.
Kryeministri bëri të ditur se ekipet e verifikimeve janë në terren që nga dita e parë e përmbytjeve, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur planin me skenarët e dëmshpërblimit.
“Ekipet e verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave e ka gati planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve. Kjo është Shqipëria tjetër që nuk i lë më vetëm njerëzit e saj, kurrë më”, shtoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



