Gjoni për qëndrimin e opozitës ndaj SPAK: Berisha ka kritika ndaj individëve, jo ndaj institucionit

Në emisionin “Trialog” të moderuar nga Alba Alishani, deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka folur për marrëdhënien e liderit të opozitës, Sali Berisha, me institucionin e SPAK pas zëvendësimit të kreut të tij.
Ai ka theksuar se Berisha nuk e ka sulmuar SPAK-un në tërësi, por vetëm disa elementë të caktuar brenda strukturës.
“Edhe vetë lideri i opozitës nuk ka atakuar SPAK-un në përgjithësi, por elementë të tij,” u shpreh Gjoni, duke sqaruar se kritikat e Berishës kanë qenë të fokusuara ndaj individëve dhe jo ndaj institucionit si të tillë.
Deputeti demokrat solli në vëmendje artikulimet e fundit të Berishës në media, ku ky i fundit ka pranuar se ka prokurorë të ndershëm që po luftojnë korrupsionin, pavarësisht presioneve të mëdha nga krimi i organizuar dhe nga qeveria.
“Berisha ka thënë se ka prokurorë të caktuar që janë të ndershëm, që po luftojnë korrupsionin dhe që kanë përballuar presione të mëdha nga faktorë të krimit të organizuar apo nga pushteti,” tha Gjoni.
Ai shtoi se Berisha ka përmendur edhe emra konkretë të prokurorëve që kanë treguar integritet profesional, duke rezistuar ndaj presioneve të jashtme.
“Ka disa qëndrime të veçanta ndaj prokurorëve specifikë, për shkak të informacionit më të detajuar që z. Berisha ka, sesa pjesa tjetër e publikut,” vijoi Gjoni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




