“Mirëmëngjes Shqipëri” – Koncert Maester Krasniqi: Orkestra Simfonike e RTSH nis vitin me një koncert madhështor

Kulturë | 10 muaj më parë

Mbrëmjen e 16 janarit, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar rikthehet për publikun me koncertin e saj të parë për vitin 2026. Koncerti do të zhvillohet në sallën e Universitetit të Arteve, duke nisur nga ora 19:00, dhe shënon fillimin e një sezoni të ri artistik pas një viti të ngarkuar dhe shumë të suksesshëm për orkestrën.

E ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, Koncertmaestër Edmea Krasniqi u shpreh se viti që lamë pas ka qenë një nga më impenjativët, por edhe ndër më të bukurit për orkestrën, me koncerte të një niveli të lartë profesional dhe vlerësime të rëndësishme, mes tyre edhe “Çmimi i Karrierës”.

Koncerti i 16 janarit do të drejtohet nga dirigjenti Gridi Kraja dhe do të sjellë një repertor të përzgjedhur, ku përfshihen uvertura “Koreliani” e Ludwig van Beethoven, “Adagio for Strings” e Samuel Barber, si dhe Koncerti për piano i Beethovenit, që do të interpretohet nga solisti i ftuar Elvin Hoxha Ganjev.

“Po rinis pas një viti shumë impenjativ, ku në momente të caktuara dhe shumë të vështira të ngarkesës së madhe që kishim por dhe shumë vit i bukur me realizime dhe koncerte të një niveli shumë të lartë profesional dhe me surpriza shumë të bukura siç ishte dhe “Çmimi i Karrierës” që morëm nga drejtoresha Eni Vasili. Kur vjen nga vite të këtilla në kërkesa brenda orkestrës por dhe në paraqitjen që bëjmë përball spektatorit ky  impenjim bëhet më i madh. Nisim nesër me Univeristetin e Arteve në orën 19:00 Koncertin e parë simfonik drejtuar nga dirigjenti Gridi Kraja, me një repertor shumë interesant siç është uvertura Korelian të Beethoven, me Adagio e Samuel Barber dhe më pas mendoj që gjëja më e bukur dhe më emocionuese e këtij koncerti është dhe interpretimi dhe pjesëmarrja e solistit Elvin Hoxha Ganjev, i cili do të interpretoj koncertin e Beethovenit”, u shpreh Koncert Master Krasniqi.

Krasniqi theksoi gjithashtu rëndësinë e dallimit mes koncerteve Gala dhe atyre simfonike, duke nënvizuar se Orkestra Simfonike e RTSH ka në fokus jo vetëm veprat klasike, por edhe pasurimin e repertorit me këngë të vyera shqiptare të orkestruara në mënyrë simfonike.

“Është një konceptim tjetër i një nate Gala, dhe një koncept tjetër i një koncerti të mirëfilltë simfonik me vepra simfonike. Koncerti Gala ka të tjera përmasa dhe është më pranë publikut dhe repertori që zgjidhet është me këngë shumë të dashura për publikun. Mendoj që në projektet e afërta të Drejtorisë së Përgjithshme dhe udhëheqjes tonë artistike Blerta Ristani dhe e kemi diskutuar shpesh herë sepse e ndjemë se në repertorin tonë ka këngë të mrekullueshme shqiptare dhe kush më mirë se sa një orkestër simfonike do ta sillte gjithë vlerën e këtyre këngëve”, tha ajo.

Në vijim të sezonit, ajo paralajmëroi projekte të tjera të rëndësishme, përfshirë një koncert në muajin shkurt me dirigjentin Facundo Agustin dhe solisten Laura Llozi, e cila do të interpretojë Koncertin e Sibelius, një nga veprat më kërkuese të repertorit simfonik.

“Është një shkollë më vete bashkëpunimi dhe afërsia që krijohet me vlerat që secili nga dirigjentët e huaj sjellin brenda orkestrës. E ndjejë veten me fat që kam këtë profesion dhe mendoj që dhe në pjesën institucionale tonën afërsia që ka orkestra është shumë e dukshme. Në muajin shkurt është një koncert me dirigjentin me Fakundo Agustin dhe do të interpretoj solistja Laura Llozi në Koncertin e Sibelius dhe është një ndër koncertet më impenjativ”, theksoi ajo.

/rtsh.al/                                                                                                                                                                                                                                                                   


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme