GJKKO pushon çështjen e Agron Malajt kundër Xhelal Mziut: Akuzuesi nuk u paraqit në gjykatë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të enjte, më 15 janar 2026, pushimin e gjykimit të padisë për “Shpifje” të ngritur nga deputeti i PS-së, Agron Malaj kundër deputetit të PD-së, Xhelal Mziu.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi viktima akuzuese dhe mbrojtja e tij nuk u paraqitën në séance.
Kronologjia e çështjes
Përplasja ligjore mes dy protagonistëve nisi zyrtarisht më 5 qershor 2025, kur Agron Malaj depozitoi kërkesën për gjykim. Ai akuzonte Xhelal Mziun për veprën penale “Shpifja” e kryer botërisht.
Pse u pushua gjykimi?
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, procesi u ndërpre jo për shkak të shqyrtimit të fakteve, por për arsye procedurale:
Viktima akuzuese, Agron Malaj, nuk ka qenë i pranishëm në gjykatë. Gjithashtu, as mbrojtësja e tij e zgjedhur, av. M.Gj., nuk është paraqitur në seancën e sotme.
Gjykata konstatoi se mungesa e tyre ishte pa shkaqe të arsyeshme, çka solli pushimin e menjëhershëm të kërkesës.
E drejta për ankim
Ndonëse çështja u pushua në shkallë të parë, ligji i jep mundësi palës paditëse të reagojë. Vendimi parashikon një afat prej 15 ditësh për të bërë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke nisur nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




