Fjalim lideri para skuadrës dhe vendimtar në fushë, Maignan gati për rinovimin te Milani

Itali | 10 muaj më parë

Në fillim një fjalim para skuadrës dhe pastaj paraqitja monstruoze në fushë me të paktën 4 pritje shpëtimtare. Mike Maignan, bashkë me patriotin Rabiot, ishte protagonist i fitores së Milan në Como.

Mike u kthye sërish “Magic”, lider në fushë dhe jashtë saj. “Djema, sot t’i shkojmë deri në fund. Të ecim përpara, deri në fund, derisa arbitri të mos vërshëllejë më”, – u tha portieri francez shokëve të ekipit pak minuta para nisjes së ndeshjes.

Rinovimi tani duket vetëm një hap larg. Maignan nuk foli për këtë temë pas ndeshjes, por e bëri Rabiot për të: “Ka dëshirë të qëndrojë!” – u shpreh mesfushori.

Ka një akord me klubin për rinovim deri në 2029-ën (me opsion edhe për 2030-ën), me dyfishim page. Maignan do të kalonte nga 2.8 milionë euro që merr aktualisht në një bazë fikse 5.5 milionë euro, plus bonuset që do ta çonin në 7 milionë euro në sezon.

Për të mbyllur marrëveshjen mbeten për t’u saktësuar vetëm pikat që kanë të bëjnë me komisionet e agjentëve, të cilët i qëndrojnë idesë për mbylljen e kontratës më 30 qershor 2026. Sipas “Gazzetta dello Sport”, agjenti Jonathan Kebe është në Milano për të takuar drejtuesit e klubit kuqezi që të mbyllin marrëveshjen finale.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme