Spiropali: Nuk ka falje tokash apo territoresh, projektet në Sazan janë pjesë e zhvillimit

Politikë | 10 muaj më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për falje tokash apo dhënie territoresh shqiptare, në lidhje me zërat për një vizitë të Ivanka Trump dhe projektin e përfolur “Kushner në Sazan”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Spiropali theksoi se nuk ekziston asnjë plan për falje tokash dhe se askush nuk i ka kërkuar Shqipërisë të japë territore apo të angazhohet në veprime të tilla.

“Nuk ka asnjë plan për falje tokash, as për dhënie të territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë”, u shpreh ministrja.

Ajo sqaroi se bëhet fjalë për projekte serioze zhvillimore, të cilat janë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit. Sipas Spiropalit, këto projekte janë pjesë e vizionit të përgjithshëm të zhvillimit dhe nuk cenojnë në asnjë mënyrë sovranitetin territorial të Shqipërisë.

“Ka projekte serioze, që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore dhe ne jemi krenarë për to, ashtu siç jemi krenarë edhe për programe dhe projekte të tjera që do t’i bëjmë realitet në Shqipëri”, deklaroi ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme