Senatorë dhe përfaqësues republikanë kundërshtojnë fushatën e Trump për Groenlandën: Dobësojnë sigurinë dhe unitetin e NATO-s

Botë | 10 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të brendshme pas kërcënimit për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë fushatën e tij për të aneksuar Groenlandën.

Trump paralajmëroi se nga 1 shkurti do të vendosë një tarifë 10% për mallrat e Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Holandës, Finlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila do të rritet në 25% më 1 qershor, derisa Danimarka të pranojë shitjen e Groenlandës.

Nga ana tjetër, një numër republikanësh kanë dalë hapur kundër Trumpit.

Revista prestigjioze amerikane Time Magazine, shkruan se’  Senatorja Lisa Murkowski e Alaskës, senatori Thom Tillis i Karolinës së Veriut, përfaqësuesi Don Bacon i Nebraskës, përfaqësuesi Mike Turner i Ohajos dhe senatori Rand Paul i Kentucky-t kanë kritikuar ashpër përdorimin e tarifave si presion ndaj aleatëve të NATO-s, duke paralajmëruar se kjo qasje rrezikon të shkaktojë një luftë tregtare dhe të dobësojë aleancën.

Senatorja Lisa Murkowski (Alaska)

Murkowski, e cila po punon bashkë me senatoren demokrate Jeanne Shaheen për një projektligj që synon të bllokojë çdo përpjekje të Trump për të marrë Groenlandën, e cilësoi tarifat si “të panevojshme, ndëshkuese dhe një gabim të thellë”.

Ajo paralajmëroi se masat e tilla do të largojnë aleatët kryesorë evropianë dhe nuk do të avancojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Senatori Thom Tillis (Karolina e Veriut)

Tillis, pas vizitës në Kopenhagen, kritikoi ashpër kërcënimet me tarifa, duke i quajtur “jashtëzakonisht budallallëk”.

Ai tha se reagimi ndaj aleatëve për dërgimin e trupave në Groenlandë për stërvitje është i dëmshëm për Amerikën dhe për bizneset amerikane. Tillis publikoi edhe një deklaratë të përbashkët me Shaheen, ku theksoi se vendet evropiane janë aleatë që kanë luftuar dhe sakrifikuar përkrah SHBA-së.

Përfaqësuesi Don Bacon (Nebraska)

Bacon e cilësoi fushatën e Trump për Groenlandën si “të turpshme” dhe kërkoi që Kongresi të rimarrë autoritetin mbi tarifat. Ai argumentoi se kërcënimi i aleatëve të NATO-s është poshtërues dhe se fakti që Groenlanda është pjesë e ombrellës së NATO-s i jep SHBA-së mjaftueshëm mundësi për të vendosur baza pa pasur nevojë për aneksim.

Përfaqësuesi Mike Turner (Ohio)

Turner, kryetar i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tha se Presidenti nuk ka autoritet për të përdorur forcën ushtarake për të pushtuar territorin e një vendi të NATO-s. Ai e quajti deklaratën e Trump problematike dhe paralajmëroi se ajo ka shkaktuar tensione të panevojshme brenda aleancës.

Senatori Rand Paul (Kentucky)

Ndërkohë, kryeministri i Groenlandës Jens-Frederik Nielsen ka deklaruar se vendi zgjedh Danimarkën mbi SHBA-në, duke refuzuar idenë e aneksimit. Pavarësisht kritikave, Trump ka këmbëngulur se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është “çështje sigurie kombëtare” dhe se NATO duhet të udhëheqë rrugën për realizimin e këtij objektivi.

Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi kërcënimin si “krejtësisht të gabuar”, ndërsa udhëheqësit e BE-së pritet të mblidhen në Bruksel për një takim urgjent.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme