15 vite nga “21 Janari”, Rama: Drejtësia e re, e vonuar. S’po i jep fund pandëshkueshmërisë së krimit shtetëror, tradhti ndaj të gjithëve ne
Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë gjatë ceremonisë së homazheve për 21 Janarin, duke theksuar se edhe pas 15 vitesh, drejtësia nuk ka arritur të vihet në vend për katër vrasjet shtetërore të ndodhura në vitin 2011.
Rama u shpreh se as reformimi i sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë nuk kanë mjaftuar për të zhdukur hijen e padrejtësisë mbi 21 Janarin.
“Për ju, familjarë të dëshmorëve të 21 Janarit, 15 vite të këtij boshllëku janë sa një jetë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim. As përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe rënia e kultit të pandëshkueshmërisë nuk kanë mjaftuar gjer më sot për të zhdukur hijen e padrejtësisë për 21 Janarin. Nuk kanë mjaftuar as vendimi i rëndësishëm i Strasburgut, më shumë se dy vite më parë, që SPAK t’ia kishte kërkuar deri tani GJKKO-së drejtësinë për katër vrasjet shtetërore të 21 Janarit.
Në emër të drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot gjashtë vitesh ne u paguajmë rroga ku e ku më të larta se të vetë Presidentit, pa llogaritur justifikimin në duart tona të gabimeve të tyre. Halli është se sa herë vjen kjo ditë, familjarët e katër dëshmorëve të 21 Janarit vijnë mbi kurrizin tonë edhe me gurët e mllefit dhe të mërzisë së shumëkujt në këtë vend, ndërsa qëndrojnë të tradhtuar në pritjen e pafundme për vendosjen e drejtësisë dhe të përbuzur në kërkesën që drejtësia për 21 Janarin të vihet në vend”, tha Rama.
Duke folur për funksionimin e sistemit aktual, Rama akuzoi drejtësinë për abuzime dhe zvarritje, duke theksuar se sot në Shqipëri ka më shumë të paraburgosur sesa persona të dënuar me vendim të formës së prerë. Sipas tij, një pjesë e madhe e tyre janë viktima të veprimeve arbitrare të prokurorëve dhe gjyqtarëve, në një panoramë që ai e cilësoi si të trishtë dhe dëmtuese për besimin publik.
“Unë i mirëkuptoj plotësisht ata që ngrenë gishtin në drejtimin tonë kur vjen fjala për pandëshkueshmërinë që mban peng 21 Janarin. Unë ndihem i dobët në pozitë kur shoh se si kaloi edhe një vit tjetër dhe 21 Janari erdhi përsëri me hijen përqeshëse të padrejtësisë së madhe. Sot, me taksat e shqiptarëve, mbahen më shumë të paraburgosur sesa njerëz të dënuar me formë të prerë. Një pjesë e madhe e të paraburgosurve janë viktima të kapriçove të prokurorëve dhe gjyqtarëve, në panoramën e trishtë të një drejtësie të dhunuar. Përgjegjësit mezi u thirrën për t’u pyetur për herë të parë pas thuajse 15 vitesh. 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn në atë kategori krimesh për të cilat historia na mëson se drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




