“Brengë’’, një dedikim për viktimat e komunizmit, autori Pashko Camaj sjell në Shqipëri romanin e dytë

Me një vepër që merr spunto nga histori reale, pas botimit të “Porosia e Kullës”, Pashko Camaj vjen me librin e dytë në Shqipëri.
Si një simbolikë e dhimbjes dhe dhunës së komunizmit, personazhi kryesor, i bazuar në një figurë reale, mbart një brengë të përhershme në jetën e tij. Një natë, para arritjes drejt një toke të lirë së bashku me dy shokë, njëri prej tyre nuk ia doli dhe u bë viktimë e vuajtjeve të përndjekjes gjatë diktaturës.
Me titullin origjinal “Kur Shqiponjat qajnë”, në bashkëpunim me botuesin Bujar Hudhri, autori vendosi që botimi në Shqipëri të titullohet “Brengë”, duke iu përshtatur më mirë narracionit të veprës.
“Është e habitshme se si Pashko, i cili ka qenë në Shqipëri vetëm disa herë pas ’90-ës, ka shkruar një libër që flet kaq thellë për Shqipërinë. Personazhet janë pjesë e kombit shqiptar,” u shpreh botuesi Hudhri.
Një sintezë e dy botëve paralele, asaj të izolimit dhe asaj të lirisë, vepra mbart edhe vlera të veçanta stilistike.
Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autori Pashko Camaj sjell për lexuesin një roman të dedikuar të gjithë atyre që mbetën viktima të një regjimi të egër totalitar.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




