Eksperti Klodian Muço: Vlera që mund të shitet Groenlanda është 700 mld dollarë. Ka 20 minerale të rralla

Botë | 9 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përsëritur sot (21 janar) kërkesën për “negociata të menjëhershme” mbi blerjen e Groenlandës, duke e vendosur sërish ishullin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, ekonomisti Klodian Muço analizoi arsyet që e shtyjnë Trump të insistojë mbi këtë çështje. Sipas tij, Groenlanda ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të 20 mineraleve të rralla që gjenden aty, shumë prej të cilave janë thelbësore për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara.

“Deri më sot Trump ka folur për arsyen e sigurisë kombëtare, është i vetmi pozicion strategjik përballë Rusisë. Por ajo që shihet nga ndryshimet klimatike është aspekti ekonomik, gjeoekonomik edhe i mineraleve të rralla. Sot që po flasim, me shkrirjen e akujve rishikohet edhe pjesa e transportit apo logjistikës ndërkombëtare të anijeve. Për herë  të parë një anije kineze arriti të kalonte pikërisht aty, duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kohën e transportit. Është një aspekt shumë i rëndësishëm. Aspekti i dytë është 20% e mineraleve të rralla sot në nivel global diskutohet që janë rezerva në Groenlandë. Nga grafiti që përdoret për bateritë, nga nadiumi që përdoret për përçuesit për raketat apo për inteligjencën artificiale. Janë 20 materiale të rralla të cilat deri ditët e sotme shumë prej tyre nuk i kishim dëgjuar, sot me përdorimin e inteligjencës artificiale bëhen shumë të rëndësishme. diskutohet që mund të jenë deri në 13% të rezervave botërore të naftës dhe gazit në Groenlandë”, tha ai.

Eksperti shtoi se vlera e mundshme e Groenlandës është e vështirë të përcaktohet, por diskutimet ndërkombëtare flasin për një shifër që mund të arrijë deri në 700 miliardë dollarë.

“Diskutohet edhe ari, argjendi, ka rezerva argjendi. Ka një sërë mineralesh, por sot lufta nuk është  as për arin as për argjendin. Ajo që sot diskutohet janë minerale të rralla. 14 nga 20 mineralet e rralla që janë në nivel global sot  gjenden pikërisht në Groenlandë. SHBA diskutohet për ta blerë deri në 700 miliardë dollarë, por që është  e vështirë të jepet një vlerë”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme