Wawrinka në histori, i pari mbi 40 vjeç në turin e 3-të që nga 1978-a: E meritoj një birrë!

Stan Wawrinka, kampion në Melburn në 2014-ën, është kualifikuar në turin e 3-të të Australian Open në moshën 40 vjeç e 296 ditë. Ai ka hyrë kështu në historinë e Slam-it si lojtari i parë mbi 40 vjeç që shkon në turin e 3-të që nga viti 1978.
Tenisti zviceran, i vitlindjes 1985, me vështirësi ia doli të kalonte kundërshtarë shumë më të rinj në moshë. Së fundi ai fitoi maratonën 4-6, 6-3, 3-6, 7-5 dhe 7-6 kundër 21-vjeçarit Arthur Gea.
Rezultati i arritur pas 4 orësh e 33 minuta e futi në historinë e turneut australian Wawrinka. Para tij, lojtari mbi 40 vjeç që kishte shkuar në turin e 3-të ishte Ken Rosewall, në 1978-ën. Tani e pret Taylor Fritz, numri 9 i klasifikimit Atp. Atyre që e pyetën se si do t’ia bëjë për t’u rikuperuar nga lodhja e ndeshjes së fundit, zvicerani iu përgjigj me të qeshur: “Nuk e kam idenë, por pashë një birrë diku këtu dhe them se e kam merituar”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




