Prapaskenat e Davos, Arbër Hitaj në “3D”: Rama nuk gënjen për Trump, i besoj variantit zyrtar që tha se ka pasur angazhim me vajzën e Presidentit amerikan
Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH, ka analizuar debatin që ka shoqëruar pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama në aktivitetet e organizuara nga Donald Trump në Davos, si dhe çështjen e “Bordit të Paqes”.
Gjatë diskutimit, Hitaj u shpreh i bindur në vërtetësinë e deklaratave të kreut të qeverisë shqiptare, duke argumentuar se Rama nuk do të rrezikonte të manipulonte të vërtetën kur bëhet fjalë për një figurë si Presidenti Trump.
Hitaj e lidhi besueshmërinë e Ramës edhe me projektet e investimeve që priten të realizohen në Shqipëri nga familja Trump.
“I besoj variantit zyrtar që ka thënë Rama, që ka pasur angazhim me vajzën e Trump, pasi pritet një investim prej miliarda dollarësh në Vlorë. Nuk besoj se Rama mund t’i lejojë vetes të mos thotë të vërtetën kur bëhet fjalë për një president si Trump,” tha Hitaj.
Lidhur me mënyrën se si u bë ftesa për ceremoninë, gazetari analizoi se qëllimi i Trump ishte të kishte sa më shumë pjesëmarrës, duke lënë të kuptohet se ftesat mund të kenë qenë edhe të momentit të fundit, një praktikë kjo e konfirmuar edhe nga liderë të tjerë rajonalë.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ftesa për të qenë e pranishme i është bërë 24 orë para samitit. Edhe nëse Ramës i është bërë ftesë, i është bërë në orët e fundit,” argumentoi Hitaj.
Sipas tij, interesi i organizatorëve në atë ceremoni nuk ishte domosdoshmërisht përzgjedhja cilësore, por numri i lartë i pjesëmarrësve për të treguar mbështetje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




