Dy gola nga Diallo, Elbasani mposht Dinamon

Abissnet Superiore | 9 muaj më parë

Elbasani ka arritur të mposhtë Dinamon me rezultatin 2-0 në javën e 21-të të “Abissnet Superiore”, në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport. Dy golat, njëri me 11-metërsh, u shënuan nga Diallo.

Elbasani rikthehet bindshëm në luftën për kreun e renditjes. Me dy gola në 20 minutat e para arrin të mund Dinamon, e cila është befasuar edhe nga ajo çfarë ka bërë portieri i bluve Teqja. Gjithçka ka ndodhur në “Elbasan Arena” në ndeshjen, e cila erdhi drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizion.

Diallo është emri i fitores së verdhebluve. Duke hyrë në zhvillimin e ndeshjes, Elbasani ka kaluar në avantazh që në të 5’, teksa Teqja ka bërë gabim në daljen e tij dhe Diallo, që ka shmangur dhe mbrojtësin e katërkëndorit dinamovit, e ka dërguar topin në rrjetë. Dinamovitët e Ilir Dajës kalojnë momente jo të mira, ndërsa në të 25’, Lorenco Vila e ka prekur topin me dorë dhe për Xhajën është penallti.

E merr përsipër Diallo, që godet, por Teqja ka grushtuar. Mirëpo portieri i Dinamos nuk e ka zotëruar plotësisht topin dhe Diallo e shtyn në rrjetë. Dinamo përpiqet të rihyjë në lojë, ndërsa në të 40’, Guindo ka shmangur Janaçek, por mbi vijën “fatale” të portës është gjendur Musta, që largon rrezikun.

Ndërkombëtari Xhaja ka falur Lilën, teksa nuk i ka dhënë kartonin e kuq, por vetëm të verdhin, në atë ndërhyrje të ashpër ndaj Ismailit. Provon dhe Berisha në të katërtën minutë shtesë për të ngushtuar rezultatin, por Janaçek ka pritur.

Dhe me avantazhin 2-0 është mbyllur pjesa e parë. Në 45 minutat e dyta, Dinamo i afrohet golit me Tekseiran, që godet traun e portës në të 57’. Shkundet Elbasani, që me Manellarin dhe Qosen tenton nga jashtë zone, por largon mbrojtja dinamovite.

Në të 66’, Tsague duhet të kishte pasuar tek Lajthia, mirëpo sërisht ndërhyn mbrojtja dinamovite. Tenton dhe një herë Dinamo në të 88’, teksa Bregu ka harkuar nga goditja e dënimit, Tekseira gjuan me kokë, por jashtë.

Dhe shansi i fundit është përsëri për Dinamon, ndërsa tenton Bregu nga distanca, por vetëm jashtë. E në këto kushte në Elbasan ka festë, ndërsa verdheblutë ngjiten në vendin e dytë me 38 pikë, kurse Dinamo mbetet në vendin e katërt me 33 pikë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme