Humb betejën me jetën i riu i aksidentuar një javë më parë në Kurbin

Aktualitet | 9 muaj më parë

Një javë pas aksidentit të rëndë në aksin rrugor Milot-Mamurras, Albert Togu, drejtuesi i mjetit tip “Audi”, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Lajmi bëhet i ditur nga gazetari i RTSH 24.

I riu po luftonte me jetën prej datës 19 janar, kur u përfshi në një aksident pranë fshatit Gjorm të Kurbinit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe kujdesit intensiv në spitalin e Traumës, dëmtimet e shumta rezultuan fatale për Togun.

Në mjetin që drejtohej nga viktima udhëtonin edhe dy pasagjerë të tjerë, të identifikuar si Albion Mamli dhe Romario Alija. Sipas burimeve spitalore, dy të rinjtë fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndonëse vijojnë të jenë nën monitorimin e bluzave të bardha për shkak të traumave të pësuara.

Hetimet paraprake të aksidentit kanë zbardhur dinamikën e ngjarjes, e cila ka rezultuar në një manovër fatale për drejtuesin e “Audit”. Mësohet se mjeti doli nga rruga dhe u përplas dhunshëm me barrierat anësore, në tentativë për të shmangur përplasjen me një automjet tjetër.

Sipas policisë, drejtuesi i mjetit tjetër që u bë shkak për devijimin, rezultoi se ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Ai është arrestuar nga forcat e policisë menjëherë pas aksidentit dhe po përballet me drejtësinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme