Rikuperimi i dëmeve në Gjirokastër – Vijon puna për normalizimin, problem rruga e Labovës së Madhe
Pas reshjeve të fuqishme të fillim janarit, Bashkia Gjirokastër ka qenë e angazhuar për rikthimin e normalitetit në qytet dhe në zonat rurale.
Nënkryetarja Amarilda Lelaj tha se situata po menaxhohet nga afër.
“Problematika mbetet e madhe, duhet bërë një projekt plot për të parë nëse ky aks do të mbetet, do të ribëhet apo do të shikohet për një aks të ri”, tha Lelaj.
Edhe në qytet, ndërhyrjet kanë qenë të menjëhershme, sidomos në lagjet Manalat dhe Granicë. Aktualisht, rruga në Granicë është stabilizuar, ndërsa për Manalat priten vlerësimet e specialistëve të Institutit Gjeologjik.
Në Manalat nuk është bërë ende pastrimi i kalldremit, ndërhyrja aty do të jetë pjesore. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar banesave të rrezikuara. 6 familje të evakuara kanë marrë mbështetje me bonus qeraje nga fondi i emergjencave, ndërkohë që për bizneset dhe banesat e prekura nga reshjet e 6 janarit janë përpunuar rreth 150 procesverbale, të cilat do të shërbejnë për dëmshpërblime në thirrjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Të dyja grupet vazhdojnë inspektimet në terren, pasi kishim shumë biznese, por edhe familje të dëmtuara nga reshjet. Janë hapur fonde dhe thirrje për të aplikuar për infrastrukturë dhe mjete, të cilat ne po plotësojmë fletët“, tha Lelaj.
Strukturat vendore dhe specialistët vijojnë monitorimin e zonave problematike, ndërsa apelojnë për kujdes të shtuar në rast të reshjeve intensive, për të shmangur rrezikun për jetën dhe pronën e banorëve.
Gazetare: S. Spaho
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




