Polonia nënshkruan kontratë 4 miliardë dollar për sistemin anti‑dron më modern në Evropë

Europë | 9 muaj më parë

Polonia ka nënshkruar kontrata me vlerë mbi 4 miliardë dollarë për ndërtimin e një sistemi anti-dron, të cilin kryeministri Donald Tusk e përshkroi si “më modernin në Evropë”.

Marrëveshja synon forcimin e mbrojtjes përgjatë kufirit lindor të vendit, në kuadër të rritjes së tensioneve me Rusinë.

 “Ky është një moment historik. Ne jemi vërtet në një pikë kthese absolute në mbrojtjen efektive dhe me performancë të lartë të kufirit lindor të Polonisë, Evropës dhe NATO-s”, tha Tusk, duke shtuar se kufijtë e Polonisë do të jenë “më të mbrojturit në Evropë”.

Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz konfirmoi se kostoja e projektit do të jetë afër 3.6 miliardë eurosh, siç ishte raportuar më herët nga media polake.

Sistemi i ri, i quajtur “San”, do të përfshijë 18 bateri anti-dron, 52 toga qitjeje, 18 toga komande dhe rreth 700 automjete, ndërsa pritet të jetë plotësisht funksional brenda dy vjetësh.

Kontratat e nënshkruara përfshijnë kompani publike dhe private polake, si dhe grupin norvegjez Kongsberg, i cili do të furnizojë ushtrinë polake me 18 bateri CUAS me vlerë rreth 1.4 miliardë euro. Nevoja për një sistem anti-dron u bë e domosdoshme pas incidentit të shtatorit, kur rreth 20 dronë rusë shkelën hapësirën ajrore polake, duke detyruar Varshavën dhe aleatët e NATO-s të ngrinin avionë luftarakë në ajër.

Sistemi “San” do të plotësojë mburojën shumështresore të mbrojtjes ajrore që po zhvillohet në Poloni, e cila përfshin programin “Wisla” me sistemet amerikane Patriot me rreze të mesme veprimi, “Narew” me raketa britanike tokë-ajër me rreze të shkurtër veprimi, si dhe programet “Pilica” dhe “Pilica+” me rreze shumë të shkurtër veprimi.

Kostoja totale e mburojës ajrore të Polonisë vlerësohet në mbi 60 miliardë dollarë, konfirmoi ministri i mbrojtjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme