Të rinjtë dhe rrjetet sociale, rriten raportimet në ALO 116, adoleshentët shfaqin më shumë probleme
Problematika të sigurisë në internet, shfrytëzimi i fëmijëve në situatë rruge si dhe shqetësime të shëndetit mendor janë çështjet më të trajtuara referuar mbi 2 mijë rasteve të pritura nga Linja Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë. Analiza e të dhënave bërë në 12 qarqet e vendit për periudhën shtator-dhjetor tregon se grupmosha që telefonuan më shumë ishte ajo mes 13-15 vjeç, kryesisht djem. Drejtuese e ALO 116, Belioza Çoku pohon se është rritur numri i personave që duan të kontaktojnë shërbimin.
“Vijon të jetë bulizmi ndërmjet bashkëmoshatarëve kryesisht. Pas COVID vumë re që nëse raportimet ishin në nivelin 2%, pas një viti shkuan në 7%, më pas u dyfishuan në 14% dhe kanë shkuar në 28%. Vazhdon trendi rritës. Tendencat e raportimeve vetëvrasëse te adoleshentët po ashtu janë rritur sepse janë rritur nivelet e ankthit dhe depresionit”, tha Çoku.
Sipas raportit, shumica e rasteve preferuan të telefonojnë për çështje jo personale, ndërkohë që ishin nën shoqërinë e miqve.
“Mund të raportojnë për një fenomen zakonisht në vetë të tretë, nuk thonë emra. Kryesisht për çështje që mund të ndodhin në komunitetin që ata janë”, theksoi Çoku.
Përdorimi i platformës në masë nga të rinjtë i Snap Chat, nuk e uli dozën e bullizmit online përpos mbylljes së Tik-Tok.
“Zbuluam në kohë reale se fëmijët nuk e kishin fare problem mbylljen e TIK-TOK sepse përdornin Snap Chat, por edhe Tik-Tok ja gjetën zgjidhjen me VPN”, u shpreh Çoku.
Ajo që u vu re nga të dhënat është se një pjesë e madhe e telefonatave të bëra kishte përmbajtje ofendimin dhe sharjet. Qarku me numrin më të lartë të telefonatave rezulton të jetë Tirana, kjo edhe për shkak të dendësisë në numër popullate ndjekur nga Durrësi, Fieri dhe Vlora.
Gazatare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




