Atentati në Rrilë të Lezhës, ndalohet me urdhër të prokurorisë polici që iu kundërpërgjigj me armë autorëve

Aktualitet | 9 muaj më parë

Efektivi i policisë, i cili iu përgjigj me të shtëna armësh autorëve të atentatit në Rrilë të Lezhës, është ndaluar. Efektivi me inicialet B.K. është ndaluar me urdhër të prokurorisë, ndërsa akuzohet për shpërdorim detyre. Ai ka qenë prezent brenda berberhanes ku ndodhej shënjestra e atentatit.

Gjatë sulmit me armë, polici i është kundërpërgjigjur autorëve me armë zjarri për t’i neutralizuar. Në dëshminë e tij para hetuesve, efektivi ka deklaruar se ndodhej aty rastësisht dhe se nuk ka arritur të identifikojë autorët.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së dielës (1 shkurt), ku nga të shtënat mbeti i plagosur Sokol Daci, 30 vjeç, pronar berberhane, i cili ka marrë tre plumba dhe po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar. Ai nuk njihej si person me precedentë penalë.

Nga të shtënat dyshohet se është plagosur edhe një person tjetër, i cili mendohet të ketë qenë shënjestra kryesore e sulmit. Ky i fundit është larguar nga vendngjarja dhe nuk është paraqitur në spital, ndërsa policia po ushtron kontrolle në spitale dhe klinika private për ta identifikuar. Nga veprimet hetimore rezulton se autorët kanë qenë tre persona, të cilët kanë udhëtuar me një automjet tip “Audi”.

Ndërkohë, policia ka intensifikuar kontrollet në Lezhë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme