SHBA dhe Irani takohen të premten në Oman, ja çfarë e ndan Uashingtonin nga Teherani

Lindja e Mesme | 9 muaj më parë

Pas orësh pasigurie dhe presioni diplomatik intensiv, kanalet e komunikimit mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rihapur. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, konfirmoi zyrtarisht se takimi i shumëpritur mes palëve do të zhvillohet të premten, rreth orës 10:00, në Muscat të Omanit.

Ky zhvillim vjen pas një lëvizjeje nga ana e administratës Trump. Ndërkohë që të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe dhëndri Jared Kushner, janë nisur drejt rajonit, Presidenti amerikan nuk i ka kursyer kërcënimet.

“Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei duhet të jetë shumë i shqetësuar,” deklaroi Trump në një intervistë të fundit, ndonëse e la derën e dialogut hapur.

Prapaskenat, si u shpëtua takimi

Sipas burimeve diplomatike, bisedimet ishin pranë dështimit total. U desh ndërhyrja urgjente e disa liderëve arabë dhe myslimanë, të cilët i kërkuan administratës amerikane të mos e braktiste tryezën e bisedimeve për të shmangur përshkallëzimin ushtarak. Fillimisht, takimi ishte menduar të mbahej në Stamboll me një format shumëpalësh, por Teherani insistoi për zhvendosjen në Oman.

Përplasja për agjendën

Edhe pse vendi dhe ora u caktuan, hendeku mes palëve mbetet i thellë. Kërkesa e Iranit është negociata ekskluzivisht dypalëshe, fokusuar vetëm te programi bërthamor dhe heqja e sanksioneve.

Ndërsa Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të qartë se nuk mund të ketë marrëveshje pa diskutuar programin e raketave balistike të Iranit, mbështetjen për grupet terroriste (Hezbollah, Houthi, etj.) dhe të drejtat e njeriut.

“Nëse iranianët duan të takohen me ne, ne jemi gati, por temat tona janë të qarta,” theksoi Rubio. E premtja në Muscat pritet të jetë një test vendimtar nëse diplomacia mund të shmangë një konflikt të ri në Lindjen e Mesme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme