Përplasje ‘e nxehtë’ Romë-Moskë para Olimpiadës, Zakharova: Akuzat për sulme kibernetike janë shpifje. Farnesina: I bënë hakerat pro-rusë

Tensionet diplomatike mes Italisë dhe Rusisë janë rindezur sërish, vetëm pak orë para hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”. Shkëndija e radhës ka qenë siguria kibernetike, duke shkaktuar replika të ashpra mes dy ministrive të jashtme.
Moska zyrtare ka reaguar sot me tone të forta ndaj deklaratave të Ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili një ditë më parë denoncoi një seri sulmesh kibernetike të koordinuara kundër misioneve diplomatike dhe hoteleve italiane në Cortina d’Ampezzo.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e kryediplomatit italian, duke kërkuar prova konkrete. “Nëse deklarata të tilla bëhen pa prova, ato quhen shpifje”, deklaroi Zakharova për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti, duke nënkuptuar se Rusia nuk ka lidhje me incidentet digjitale.
Kundërpërgjigjja e Italisë: “Autorësia është e qartë”
Menjëherë pas reagimit nga Moska, burime zyrtare nga Farnesina (Ministria e Jashtme italiane) kanë saktësuar për agjencinë ANSA se akuzat bazohen në fakte konkrete dhe në vetë-deklarimet e autorëve.
Sipas Romës, sulmet nuk janë anonime.
“Ishin hakerat pro-rusë të grupit ‘Noname057(16)’ ata që morën përgjegjësinë dhe motivuan sulmin kibernetik ndaj ambasadave dhe hoteleve italiane të përfshira në Lojërat Olimpike”, saktësuan burimet diplomatike italiane.
Pavarësisht përplasjes për çështjen kibernetike, diplomacia italiane ka ritheksuar pozicionin e saj gjeopolitik. Burimet nga Farnesina nënvizuan se Italia nuk ka paragjykime ndaj popullit rus dhe nuk është në luftë me Rusinë, por mbetet e palëkundur në dënimin e agresionit në Ukrainë.
“Italia dënon shkeljen e së drejtës ndërkombëtare të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës. Është një luftë që Rusia po vazhdon ta zhvillojë, duke vrarë qytetarë dhe duke shkatërruar infrastrukturë civile”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, Roma zyrtare ka bërë thirrje që Moska të ulet në tryezën e bisedimeve, duke mbështetur nismat paqësore të promovuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




