Siguria e municioneve, FA dhe FSK përfundojnë trajnimin e specializuar nën asistencën e SHBA-së

Bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar një tjetër hap cilësor në rritjen e kapaciteteve të përbashkëta të mbrojtjes.
Specialistë të menaxhimit të municioneve nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë (FA), së bashku me kolegët e tyre nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë përfunduar një kurs të avancuar trajnimi. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Shkollës së Trupës së Komandës Mbështetëse dhe u realizua nën asistencën direkte të instruktorëve nga Komanda Amerikane për Evropën (EUCOM).
Fokusi i këtij kursi, i titulluar “Investigimi i incidenteve me municione dhe trajnimi për ruajtjen e përkohshme”, ishte rritja e sigurisë dhe menaxhimi profesional i materialeve ushtarake.
Pjesëmarrësit u trajnuan mbi praktikat më të mira bashkëkohore, duke kombinuar njohuritë teorike me ato praktike. Qëllimi kryesor ishte aftësimi i efektivëve në zbatimin rigoroz të procedurave standarde për menaxhimin e municioneve, garantimin e sigurisë fizike të tyre, si dhe hetimin e saktë të incidenteve të mundshme.
Ky trajnim konfirmon angazhimin e vazhdueshëm për modernizimin e forcave ushtarake të të dyja vendeve dhe përafrimin me standardet më të larta të NATO-s dhe partnerëve strategjikë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







