Bizneset e reja në Shkodër, 159 të rinj në pesë vjet u mbështetën me grante, 48 vetëm në janar të këtij viti
48 sipërmarrës të rinj kanë çelur këtë fillim vit bizneset e tyre në qarkun Shkodër, të mbështetur nga Drejtoria Rajonale Punësimit. Alfred Dopalaj është njëri prej tyre i cili tashmë po formëson ëndrrën e tij për të patur një punishte qeramike
“Ideja ime parimore është që të prodhoj gjëra që më japin sadisfaksion, por pse jo dhe për të plotësuar nevojat e tregut duke prodhuar diçka krijuese. Dhe mendova pse jo mos të përdor grantin si mënyrë për të startuar idenë e biznesit tim”, deklaroi Alfred Dopalaj.
Drejtorja e zyrës rajonale të punësimit Shkodër Rozafa Zmijani tregon se interesi I të rinjve ka ardhur në rritje ndërsa mbështetja këtë vit është dyfishuar
“48 persona të cilët kanë hapur bizneset dhe aktualisht po marrin dhe pjesën e kësteve të grantit. Surpriza e këtij viti është që kemi pasur larmishmëri dhe varietet në diversitet biznesesh, dizajn, arkitekt, dentist, bujtina, etj”, deklaroi Rozafa Zmijani, Drejtore Rajonale e Punësimit, Shkodër
Mbështetje të tilla kanë ndikuar në dëshirën e të rinjve për të patur sipërmarrjet e tyre po nga ana tjetër duke drenuar edhe emigrimin masiv veçanërisht në veri.
“Ka një ndryshim në lidhje me varietetin e programeve që zyrat e punësimit ofrojnë ku janë shumë më të mirë dhe i kemi gjatë gjithë vitit që t’u japim të rinjve disa mundësi”, shtoi Zmijani.
Gjatë 5 viteve, nga Zyra e Punës Shkodër janë mbështetur 159 sipërmarrës, ku 52% janë vajza, duke forcuar rolin e grave në zhvillimin ekonomik. Sipas INSTAT në qarkun Shkodër vetëm gjatë vitit të shkuar janë celur 859 biznese të reja.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




