Ish-kryeministri Majko reagon ashpër për Hagën: Turp! Po amnistoni Millosheviçin dhe po deformoni luftën e Kosovës

Kosovë | 9 muaj më parë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si një deformim të rëndë të realitetit historik.

Përmes një reagimi publik, Majko, i cili drejtonte qeverinë shqiptare gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1999), theksoi se ky proces po cenohet rëndë nga barazimi i viktimës me agresorin.

Sipas Majkos, drejtësia që po kërkohet në Hagë po shkon përtej individëve, duke goditur vetë bazën e ndërhyrjes perëndimore.

“Procesi fyen aksionin ndërkombëtar të Perëndimit në krah të shqiptarëve, përballë veprimeve shtetërore të Serbisë, të cilat janë trajtuar nga e drejta ndërkombëtare si krime lufte,” shkruan ai.

Akuzën më të rëndë ish-kryeministri e rezervon për efektin që ky gjyq po jep te pala serbe. Ai paralajmëron se historia po rishkruhet mbrapsht.

“Ky proces i deformuar në Hagë po justifikon dhe amniston protagonistin dhe drejtuesin shtetëror serb, Sllobodan Millosheviç, të akuzuar për krime lufte në Kosovë!”, shprehet Majko.

Reagimi mbyllet me një notë të fortë për atë që mund të pasojë.

“Mbas këtij procesi, mbetet që gjykata të vlerësojë edhe dëmin që Kosova duhet t’i paguajë Serbisë!… Turp!”, përfundon reagimi i tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme