Ligji i ri për shërbimin e jashtëm, Spiropali: Reformë e thellë për diplomacinë shqiptare
Në komisionet parlamentare po shqyrtohen ndryshimet ligjore për funksionimin e diplomacisë shqiptare. Mes të tjerave, drafti parashikon testimin e detyrueshëm për të gjithë diplomatët pas hyrjes së tij në fuqi.
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, në komisionin parlamentar, tha se qeveria synon një riorganizim të thellë, për t’iu përshtatur proceseve integruese ku ndodhet vendi.
“Projektligji i ri mbyll këto hapësira dhe krijon një sistem më transparent dhe profesional. Një risi e rëndësishme është krijimi i zyrave ekonomike dhe qendrave kulturore pranë njësive diplomatike”, tha Spiropali.
Spiropali tha se trupa diplomatike e Shqipërisë është shtyllë e shtetit.
“Projektligji i ri forcon statusin e tyre, përmirëson trajtimin financiar për diplomatët dhe vendos një sistem të qartë karriere. Krijon bazat për një bashkërendim shumë më të efektshëm mes institucione shtetërore, që zëri i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të jetë më i fortë, më i koordinuar dhe më koherent”, tha ministrja.
Miratimi i këtij projektligji nënkupton edhe shfuqizimin e dy ligjeve të tjera të viteve 1998 dhe 2015, që kanë të bëjnë me shërbimin e jashtëm dhe shërbimet konsullore. Ndërkohë, neni 48 detajon edhe mënyrën se si do të bëhet verifikimi i sigurisë dhe pastërtisë së figurës së personelit diplomatik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




