16 policë të plagosur, Rama reagon pas protestës së opozitës: E vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë, drejtësia të ndëshkojë pa ngurrim autorët e sulmeve

Aktualitet | 9 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së djeshme të opozitës, gjatë së cilës 16 efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur si pasojë e hedhjes së molotovëve dhe shisheve me benzinë në drejtim të Kuvendit dhe Kryeministrisë.

Përmes një postimi në platformën X, Rama publikoi pamje të mjeteve të përdorura gjatë protestës, duke i cilësuar ato si “bomba artizanale” me të cilat, sipas tij, u sulmuan dhe u plagosën punonjësit e policisë.

“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!”, shkruan Rama.

Kryeministri u shpreh se pret nga drejtësia të veprojë pa hezitim ndaj personave përgjegjës për aktet e dhunës.

“Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!”, thekson ai në reagimin e tij.

Në vijim, Rama komentoi edhe pasojat politike të protestës, duke deklaruar se, sipas tij, “fati politik i këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard” do të vendoset në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku parashikon një disfatë për opozitën. Ai shtoi se qeveria do të vijojë, sipas tij, pa u ndalur në rrugën drejt objektivit “Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”.

Protesta e zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shoqërua me tensione dhe përplasje, ndërsa Policia njoftoi se ka arrestuar 21 persona dhe vuri në hetim 4 anëtarë të PD-së dhe sekretarin organizativ, të përfshirë në aktet e dhunës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme