Digjitalizimi i bashkive, ministri Demo: Jemi në epokën GovTech, synojmë standardizim shërbimesh për qytetarët

Digjitalizimi i shërbimeve vendore nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri për një qeverisje moderne dhe më pranë qytetarit. Ky ishte mesazhi kryesor që përcolli Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjatë një takimi pune (workshop) të fokusuar te teknologjia në administrimin vendor.
Përmes një reagimi publik, Ministri Demo theksoi se roli i bashkive në këtë proces po ndryshon rrënjësisht.
“Në Workshop-in mbi digjitalizimin theksova se bashkitë janë aktorë qendrorë të këtij procesi, jo thjesht përdoruese të teknologjisë,” u shpreh ai.
Sipas Ministrit, objektivi kryesor i kësaj nisme është standardizimi i shërbimeve që ofrohen për qytetarët, pavarësisht se në cilën bashki jetojnë ata. Kjo do të garantojë akses të barabartë dhe rritje të transparencës. Demo nënvizoi se ky transformim është pjesë e reformës më të gjerë të qeverisjes publike dhe qasjes së re “GovTech”.
“Qëllimi ynë është standardizimi i shërbimeve, akses i barabartë për qytetarët dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore në nivel vendor,” sqaroi ministri.
Në përfundim, Demo garantoi se Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor do të marrë rolin udhëheqës në këtë proces, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet partnere për të modernizuar infrastrukturën dixhitale të pushtetit vendor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




