Institucionet e reja të Kosovës – Mesazhe urimi për krijimin e qeverisë dhe Kuvendit të ri
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ndërsa uroi kryeministrin Albin Kurtin për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës u shpreh e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë lidhur me dialogun mes dy vendeve.
“Pas më shumë se një viti bllokadë politike, formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues. Tani e rëndësishme është që të ecet me shpejtësi në zbatimin e reformave. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së në vlerë prej qindra milionë eurosh dhe për të shënuar përparim në rrugën drejt BE-së”- thuhet në mesazhin e Kaja Kallas.
Lajm të mirë e cilësoi zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, Komisionerja e Zgjerimit të BE-së Marta Kos. “Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe marrjen përfitimeve nga Plani i Rritjes. Pres me padurim të vizitoj Kosovën së shpejti.” – shkruan Kos.
Qeveria e re e Kosovës mori urime edhe nga Shqipëria. Presidenti Bajram Begaj përmes një mesazhi në mediat sociale siguroi mbështetjen vëllazërore të Shqipërisë ndaj Kosovës. “Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara.”- thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.
Ministrja e Jashtme Elisa Sipopali u dërgoi mesazhe urimi homologut të sapo zgjedhur të Kosovës Glauk Konjufca, kryeparlamentare së re Albulena Haxhiu dhe kryeministrit Albin Kurti. “Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të lartë në shërbim të qytetarëve.” thuhet në mesazhin e saj duke e cilësuar Kosovën pjesë të pandashme të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




